Lënda : Rekomandim për marrjen e masave për miratimin e disa akteve normative në bazë dhe zbatim të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe masave të nevojshme administrative me qëllim respektimin e të drejtave ligjore të punonjësve të Policisë së Shtetit.
KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Tiranë
MINISTRISË SË BRENDSHME
Tiranë
Institucioni i Avokatit të Popullit në datën 28.12.2018 ka regjistruar me nismën e vet konform dispozitave të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, rastin e bërë publik në media të letrës me disa kërkesa të bërë nga Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit drejtuar Kryeministrit. Në këtë letër ngrihen disa probleme që shqetësojnë këtë organizatë dhe që lidhen me mosrespektimin e të drejtave të anëtarëve të saj. Sipas Kryetarit të Sindikatës, punonjësit e policisë në detyrë, në kushte pune mjaft të vështira dhe me shumë sakrifica po punojnë me orë pune të zgjatura, pa pushime, duke rrezikuar dhe jetën e shëndetin e tyre, në ruajtjen e rendit e të sigurisë publike. Ata trajtohen me pagat më të ulta në Europë e në rajon dhe që prej vitit 2014 pa asnjë rritje, me gjithë shtimin e taksave, rritjen e çmimit të energjisë, të ujit dhe të inflacionit. Ndërkohë që pagat e strukturave të tjera të administratës publike po rriten, punonjësit e Policisë së Shtetit nuk po përfitojnë nga këto rritje. Pagesat e munguara, nga mos nxjerrja e akteve nënligjore, në zbatim të ligjit të policisë, e të tjera, kanë bërë që 70% e punonjësve dhe familjet e tyre të kenë të ardhura për frymë nën minimumin jetik. Rreth 80% e punonjësve të policisë nën moshën 40 vjeç kanë aplikuar për Llotarinë Amerikane, ndërsa njëkohësisht, po presin Janarin e 2019 për t’u larguar jashtë vendit për një jetesë më të mirë, kryesisht kryefamiljarët.
Bazuar në nevojat emergjente që kanë punonjësit e policisë, në emër të Sindikatës i kërkohet Qeverisë që të vendos si më poshtë:
1. Të japë pagën e 13-të, të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, pasi kjo ju takon sipas Kodit të Punës, Kontratës Kolektive në fuqi dhe marrëveshjes të përbashkët, Qeveri – Sindikata.
2. Të paguhen orët suplementare dhe dietat e prapambetura për shërbime jashtë rrethit që nga 2017 e në vazhdim, ndërsa Komisariatet e Policisë Tiranës që nga viti 2016. Pagesat e prapambetura, po rëndojnë çdo ditë e më shumë, buxhetin familjar të punonjësve të policisë, cilët për të zgjidhur problemet e tyre ekonomike e financiare, detyrohen të marrin kredi në banka, për ushqim, për qera, drita, ujë e taksa për shkollimin e fëmijëve, sepse overdraftin e kanë zeruar prej kohësh.
3. Të nxirren nga Këshilli i Ministrave dhe Ministri aktet nënligjore në bazë dhe për zbatimin të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Ndonëse afati ligjor, brënda 6 muajve nga botimi i ligjit në fletoren zyrtare, i përcaktuar në nenin 143, pika 4, e ligjit “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, ka kaluar me disa vite, ende nuk janë miratuar aktet nënligjore për:
a) Sigurimin e jetës në rast aksidenti në detyrë ose për shkak të detyrës, sipas nenit 71 të ligjit nr. 108/2014. Nga 1 marsi 2014, kanë ndodhur katër raste të rënies në detyrë dhe për shkak të detyrës dhe me dhjetra raste të tjera plagosje, të punonjësve të policisë. Aktualisht nga radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit janë mbi 280 të rënë e mbi 300 të plagosur.
b) Dhënien e banesës falas dhe e pëfitimeve të tjera pjesëtarëve të familjeve të punonjësve të policisë e që humbin jetën për shkak të detyrës, sipas nenit 75, pika 1/ç.
c) Dhënien e kredive me 3% për punonjësit e policisë, 50 % e të cilëve janë të pastrehë, sipas nenit nenin 69, pika 3.
ç) Trajtimin financiar pas ndërprerjeve të marrëdhënieve të punës me pension shërbimi, sipas nenit 73/c.
4. Të jepet kompesimi për ushqim gjithë punonjësve të policisë që nga hyrja në fuqi e VKM nr.189, dt.15.03.2017. Në Mars 2018 filloi zbatimi i VKM-së, por u ndërpre për “mungesë fondesh”. Punonjësit e policisë po punojnë nga 10-12 orë pune në ditë pa ndërprerje dhe pa ushqim.
5. T’u jepen gradat dhe paga për gradë punonjësve të policisë që përmbushin kushtet dhe kriteret sipas ligjit për gradën Inspektor i Dytë, Inspektor i Parë. Kanë një vit në pritje punonjësit e policisë dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Ligji e ri “Për Policinë e Shtetit” i uli pagat për më shumë se 2300 punonjës të policisë, për shkak të suprimimit të gradës Kryeinspektor. Nga data 01.04.2016 e në vazhdim këta punonjës, vazhdojnë të marrin 7000 deri në 9000 lekë të reja më pak. Sipas ligjit në fuqi, Qeveria që nga data 01.01.2018, duhet të kishte përmbushur detyrimet e saja për implementimin e gradave dhe pagës përkatëse për gradë për punonjësit e policisë që plotësojnë kriteret bazë.
6. Të jepet trajtimi financiar për punë të dëmshme. Shumë punonjësve u është hequr trajtimi financiar për pune të dëmshme për shëndetin, duke bërë që mbi 500 punonjës të mos trajtohen financiarisht, në masën 7 mijë lekëve në muaj, në një kohë që punonjësit e tjerë të administratës publike e përfitojnë këtë trajtim.
7. Të ndalohen transferimet pa kriter të punonjësve të policisë kryesisht kryefamiljarë. Për shkak të transferimeve të shumta për nevoja “Pune e Shërbimi” pa kriter, punonjësve iu reduktohet paga neto rreth 40%, duke i sjellë pasoja direkte financiare buxhetit familjar, përveç papunësisë së bashkëshorteve, fëmijëve, si dhe të qënit të pastrehë. Mbi 60% e punonjësve janë të transferuar jashtë vendbanimit të tyre. Strukturat përgjegjëse nuk respektojnë kërkesat ligjore në rastet e lirimeve e të transferimeve. Shuma të mëdha lekësh po hiqen nga buxheti i Policisë së Shtetit për të ekzekutuar vendimet gjyqësore të formës së prerë, të fituara nga punonjësit e policisë të larguar padrejtësisht nga detyra.
8. Tu jepen uniformat dhe detyrimet financiare të papaguara punonjësve të policisë që trajtohen me uniformë civile për shkak të funksionit organik dhe uniformë ushtarake, sepse kanë një periudhë prej katër vitesh që nuk e marrin atë apo të drejtat financiare. Ata detyrohen të shpenzojnë nga buxheti familjar për blerjen e tyre.
9. Ish Ministra e Drejtorë të Përgjithshëm, deri më sot, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Sindikatës, nuk kanë pranuar të ulen në negociata me të. Kanë shmangur gjithnjë tryezat e përbashkëta për t’u konsultuar e debatuar, kanë mënjanuar pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Sindikatës në grupet e punës për hartimin e akteve ligjore e nënligjore, kërkesa këto detyruese nga Kodi i Punës e në veçanti të Kontratën Kolektive të Punës, në fuqi.
Sipas Sindikatës, reduktimi i fondeve për Policinë e Shtetit, menaxhimi i keq i tyre, pandëshkueshmëria për shkeljet ligjore, financiare, përtej vendosjes së besimit dhe dhënies së një drite shprese për punonjësit e policisë, ka detyruar qindra punonjës policie që për të gjetur drejtësi ti drejtohen Sindikatës dhe Gjykatave. Kjo situatë agravon disbalancat sociale, shkatërron performancën e Policisë, krijon padrejtësi dhe ashpërsi nga strukturat policore që reflektohen në shtimin dhe përdorimin e dhunës “në emër të ligjit”, duke rritur pasigurinë tek qytetarët. Pandëshkueshmëria për shkeljet e ligjit nga drejtues të institucioneve të Policisë së Shtetit ka ulur ndjeshëm performancën e Policisë. Dhënia e dënimit kolektiv kohët e fundit duke ju privuar të drejtën të vazhdojnë konkurrimin sipas ligjit dhe Rregullores së Policisë, të mbi 170 punonjësve për gradën Komisar është konsideruar shkelje e ligjit dhe e të drejtave të këtyre punonjësve që konkuruan dhe u shpallën fitues nga komisioni i testimit. Presioni që u bëhet punonjësve nga strukturat eprore me lirime e transferime të paligjshme, ka sjellë pasoja sociale e profesionale në Policinë e Shtetit.
Lidhur me këtë rast të bërë publik në media dhe për të bërë të mundur shqyrtimin e tij, me shkresat nr. K2/I2-2 prot., datë 18.01.2019 dhe nr. K2/I2-5 prot., datë 17.04.2019 i kërkuam shpjegime Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në vijim të kërkesave tona, Departamenti për Shërbimet Mbështetëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (DPPSH) me shkresat nr. 359/2 prot., datë 07.03.2019 dhe 2/727-1 prot., datë 20.05.2019, ndërmjet të tjerave na informoi se:
1. Në Kontratën Kolektive, në nenin 8 të saj, në paragrafin e fundit, parashikohet se: “Punëmarrësi në çdo fundviti financiar, përfiton një shpërblim deri në një pagë mujore, të njëjtë me atë të përfituar nga punonjësit civilë dhe punonjësit e tjerë të administratës shtetërore”. Ky përfitim jepet në një shkallë përpjestueshmërie që pasqyron kohën e punës së kryer nga punëmarrësi gjatë vitit financiar”. Referuar këtij cilësimi, mbetet në vlerësimin e punëdhënësit dhënia e pagesës së shpërblimit. Kjo referencë qartëson faktin se nuk duhet ngatërruar koncepti “Paga e 13-të” me “Shpërblimin”. Trajtimi i punëmarrësit me shpërblim është i normuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në aktet të tjera normative nënligjore. Në asnjë nen të Kodit të Punës, të ndryshuar, nuk parashikohet detyrimi i punëdhënësit për dhënien e pagës së 13-të.
Në vazhdimësi, por edhe gjatë vitit 2018, ka pasur korrespondenca shkresore me Sindikatën aktuale të Policisë, por ende nuk është dakortësuar për një marrëveshje ndërmjet palëve dhe hartimin e një Kontrate Kolektive të re. Së fundmi, në E-mailin e përcjellë nga Ministri i Brendshëm është konkluduar në organizimin e grupit të përbashkët me përfaqësues të Sindikatës dhe të DPPSH për arritjen e një marrëveshjeje dhe konkretizimin e një Kontrate Kolektive të ligjshme. Referuar sa më lartë, edhe nëse do të realizohet një marrëveshje e re ndërmjet palëve, “Paga e 13-te” nuk do të jetë pjesë e saj, për shkak të mungesës së bazës ligjore.
2. Trajtimi me pagesë i mbikohës së punës (orët suplementare) gjatë vitit 2018, për llogari të viteve 2017-2018, është bërë në shumën 201,112 mijë lekë. Megjithatë borxhi për këtë tregues, në fund të vitit 2018, është në shumën 116,467 mijë lekë. Për vitin 2019, në mungesë të fondeve të planifikuara, është kërkuar shtesë fondi, jo vetëm për të likujduar borxhin e maturuar, por edhe për të mbuluar detyrimet që do të krijohen gjatë këtij viti. Gjatë muajit Mars 2019 është miratuar avancim fondi me qëllim likujdimin e detyrimeve të prapambetura dhe pagesa do të bëhet gjatë këtij muaji nga të gjitha njësitë shpenzuese. Për detyrimet që do të krijohen gjatë vitit do të shikohet mundësia e likujdimit nga fondet që do të krijohen të lira, nga mungesat organike ose shtesat që mund të bëhen.
Në zërin shpenzime udhëtimi gjatë vitit 2018 është paguar shuma prej 362,743 mijë lekë dhe kemi detyrime të prapambetura të raportuara (borxh) në shumën 20,133 mijë lekë, shumë e cila është planifikuar që të likujdohet gjatë vitit 2019.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në zbatim të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, ka përgatitur projekt-aktet si më poshtë:
a) Projekt-VKM “Për sigurimin e jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit” (neni 71).
b) Projekt-VKM “Për trajtimin ekonomik dhe financiar të familjeve të punonjësve të policisë që humbin jetën për shkak të detyrës” (neni 75).
c) Projekt-VKM “Për trajtimin me kredi me interes të butë për strehim të punonjësve të Policisë së Shtetit” (neni 69).
ç) Projekt-ligji “Për trajtimin financiar me pension shërbimi të punonjësve të Policisë së Shtetit që ndërpresin marrëdhëniet e punës” (neni 73).
Projekt-aktet e cituar më sipër janë dërguar me shkresë zyrtare në Ministrinë e Brendshme për vazhdimin e procedurave të mëtejshme dhe janë në proces miratimi.
4. Në lidhje me kompesimin për ushqim të punonjësve të policisë, gjatë vitit 2018 është kërkuar çelje fondi në zbatim të VKM nr. 68, datë 07.02.2018 “Për kufijt dhe kriteret e përcaktimit të shpërblimit që i përgjigjet pagës së përfituar në natyrë dhe që i shtohet pagës për pushimet vjetore”. Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë është kthyer përgjigje negative me shkresën nr. 8280, datë 27.04.2018, ardhur elektronikisht në datën 17.12.2018. Gjatë përgatitjes së projekt buxhetit 2020-2022, në muajin prill të këtij vitit është parashikuar efekti financiar në zbatim të këtij vendimi si kërkesë mbi limit.
This is said to be a perfect product for the generic cialis cheapest Get More Information treatment of erectile dysfunction or as it is easy for treating with appropriate medication. Physicians state that the lack of the natural herbal and natural ingredients order viagra generic that pose absolutely no risk to metabolic problems in the body. Saffron M Power capsules are highly efficient in dealing with generic viagra australia different common troubles like erectile dysfunction, PE, semen leakage and other related ones. Both men and women experience the feeling of dryness and the lack of desire http://mouthsofthesouth.com/auction-listings/ viagra in australia to perform and intercourse with their partner.5. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e kritereve sipas ligjit për dhënien e gradës “Inspektor i parë” dhe “Inspektor i dytë” ka përgatitur projekt-aktet si më poshtë:
a) Projekt-VKM “Për disa ndryshime në VKM nr. 200, datë 15.03.2017 “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Shtetit”, (ku parcaktohet vlera për secilën gradë).
b) Projekt-VKM “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM nr. 892, datë 21.12.2016 “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese dhe kategorizimi për gradat në Policinë e Shtetit”.
Dy projekt-aktet e cituar më sipër janë dërguar me shkresë zyrtare në Ministrinë e Brendshme për vazhdimin e procedurave të mëtejshme dhe këto akte janë në proces miratimi.
6. Trajtimi financiar për punë të vështira dhe të dëmshme për shëndetin për punonjësit e Policisë së Shtetit kryhet konform përcaktimeve të akteve normative përkatëse ligjore dhe nënligjore. Sa i përket trajtimit të punonjësve civilë me statusin “punonjës administrativë”, pagesa për punë të vështira dhe të dëmshme për shëndetin bëhet në zbatim të VKM nr. 717, datë 23.06.2009 “Për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetore dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore”. Lidhur me këtë, Ministri i Brendshëm ka miratuar Urdhrin nr. 137, datë 17.09.2017 “Për trajtimin me shtesë mbi pagë për punë të vështira e të dëmshme për shëndetin për punonjësit e Policisë së Shtetit”. Për punonjësit e policisë me gradë policore, zbatohet me korrektësi VKM nr. 200, datë 15.03.2017 “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Shtetit”.
7. Trasferimi i punonjësve të Policisë së Shtetit për çdo rast është bërë në zbatim të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 750, datë 16.06.2015 dhe Procedurën Standarde të Punës, “Për transferimet e punonjësve të Policisë së Shtetit”.
8. Lidhur me detyrimet financiare që lidhen me trajtimin me uniformë civile, që prej tre vjetësh janë siguruar fondet e nevojshme për “Uniforma e veshje speciale” dhe i është dhënë prioritet kompletimit me uniformë policie të strukturave të Policisë së Shtetit. Megjithë përpjekjet e bëra gjatë këtyre viteve, uniforma e policisë nuk është realizuar për shkak të dështimit të procedurave të prokurimit. Për pasojë fondi i mbetur nga mosrealzimi i uniformës së policisë është rialokuar për njësitë policore me qëllim kompensimin e veshjeve civile të strukturave që e përfitojnë, me rreth 1747 punonjës të strukturave të hetimit të krimeve. Detyrimi i maturuar dhe i pambuluar për vitin 2018 është në shumën 9,171 mijë lekë dhe do të likujdohet gjatë këtij viti.
9. Lidhur me procesin e promovimit për gradë në Policinë e Shtetit na informoi se, konkurimet për gradë në Policinë e Shtetit janë kryer në mënyrë transparente bazuar në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, në Rregulloren e Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 750, datë 16.09.2015 dhe në Procedurën Standarde të Punës “Për ngritjen në gradë të punonjëvse të Policisë së Shtetit”.
Në vijim të ndjekjes së këtij rasti, me shkresën nr. K2/I2-7 prot., datë 05.06.2019, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, i kërkuam informacion lidhur me projekt-aktet e përmëndur më sipër. Nëse ato janë dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave apo jo, dhe nëse po, të na dërgonte numrin e protokollit dhe datën e shkresave përcjellëse të tyre.
Sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme me shkresën nr. 4962/1 prot., datë 21.06.2019 na informoi se:
1. Projektvendimi i KM “Për sigurimin e jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, është ridërguar për mendim, nëpërmjet sistemit të e-akteve në ministritë e linjës dhe është në procesin e reflektimit të sugjerimeve;
2. Projektvendimi i KM “Për trajtimin ekonomik dhe financiar të familjeve të punonjësve të policisë që humbin jetën për shkak të detyrës”, është ridërguar për mendim, nëpërmjet sistemit të e-akteve në ministritë e linjës dhe pritet mendimi i MD dhe MFE;
3. Projektvendimi i KM “Për trajtimin me kredi me interes të butë për strehim të punonjësve të Policisë së Shtetit”, është ridërguar për mendim, nëpërmjet sistemit të e-akteve në ministritë e linjës dhe është në procesin e reflektimit të sugjerimeve nga ana e DPPSH-së;
4. Projektligji “Për trajtimin financiar me pension shërbimi të punonjësve të Policisë së Shtetit që ndërpresin marrëdhëniet e punës”, është dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave, në Dhjetor të vitit 2018 dhe është kthyer për bashkërendim me MFE dhe MD, për të kryer procedurat e konsultimit publik dhe për të hartuar Raportin e Vlerësimit të Ndikimit (RIA);
5. Projektvendimi i KM “Për disa ndryshime në VKM nr. 200, datë 15.03.2017 “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Shtetit”, është dërguar në vijim të procedurave pranë Departamentit të Administratës Publike, si institucioni përgjegjës për propozimin për miratim të projekt-akteve të lidhura me politikën e pagave, pasi ky lloj akti normativ miratohet me propozim të Kryeministrit;
6. Projektvendimi i KM “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM nr. 892, datë 21.12.2016 “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese dhe kategorizimi për gradat në Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, është dërguar për mendim dy herë pranë MD dhe MFE dhe është në proces bashkërendimi/reflektimi apo argumentimi të sugjerimeve të dy ministrive nga ana e DPPSH-së.
Nga përgjigjet e cituara më sipër dhe nga takimi i bërë me Kryetarin e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit rezulton se, shumica e problemeve të ngritura nga ana Kryetarit të Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit në letrën drejtuar Kryeministrit dhe të bërë publike qëndrojnë dhe janë të bazuara në ligj. Të tilla mund të përmendim: mos miratimi i VKM-ve dhe i ligjit “Për trajtimin financiar me pension shërbimi të punonjësve të Policisë së Shtetit që ndërpresin marrëdhëniet e punës”, të cituara më sipër; mos likujdimi total i pagesave për mbikohën e punës (orët suplementare të kryera nga punonjësit e policisë) dhe i shpenzimeve të udhëtimit për llogari të viteve 2017-2018-2019; mos dakortësimi për një marrëveshje ndërmjet palëve dhe hartimin e një Kontrate Kolektive të re; mos kompesimi për ushqim i punonjësve të policisë, në zbatim të VKM nr. 68, datë 07.02.2018 “Për kufijt dhe kriteret e përcaktimit të shpërblimit që i përgjigjet pagës së përfituar në natyrë dhe që i shtohet pagës për pushimet vjetore”; mos dhënia e uniformave punonjësve të policisë së rendit për shkak të dështimit të procedurave të prokurimit.
Ndërkohë konstatojmë se, ndonëse me shumë vonesë, nga strukturat përkatëse të DPPSH dhe Ministrisë së Brendshme janë bërë dhe po bëhet përpjekje për zgjidhjen e tyre, janë përgatitur projekt-aktet normative të parashikuar në dispozitat e ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të cilat janë në proces miratimi, si dhe janë kërkuar fonde shtesë nga strukturat përkatëse, por ato nuk janë miratuar ende. Referuar përgjigjeve të cituara më sipër dhe fakteve konkrete të krijohet bindja se strukturat përgjegjëse për zbatimin e detyrimeve ligjore nuk janë serioze dhe të përkushtuara në zbatimin e ligjit dhe kjo ka sjell një sorollatje të zgjidhjes së problematikave që kanë punonjësit e Policisë së Shtetit. Theksojmë se pasojat e këtij qëndrimi rëndojnë tek punonjësit e Policisë së Shtetit të cilëve për rreth 4.5 vjet po iu cënohen hapur të drejtat ekonomiko-financiare të parashikuara dhe garantuara formalisht në ligjin organik nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe në aktet e tjera normative. Sqarojmë se ligji nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” është botuar në fletoren zyrtare nr. 137 të vitit 2014, e cila ka dalë në datën 01.09.2014 dhe afati brenda 6 muajve nga botimi i ligjit në Fletoren Zyrtare për nxjerrjen nga Këshilli i Ministrave të akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, ka përfunduar në datën 01.03.2015.
Referuar këtij rasti dëshirojmë që t’ju sjellim në vëmendje se, në veprimtarinë e institucionit të Avokatit të Popullit, punonjësit e Policisë së Shtetit nuk kanë qenë vetëm subjekte ndaj të cilëve janë bërë ankesa, por edhe subjekte që gëzojnë të drejtën ligjore t’i drejtohen atij kur iu shkelen të drejtat dhe interesat ligjore nga organet e administratës publike duke përfshirë edhe vetë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme. Ankesat e punonjësve të administratës publike, duke përfshirë edhe ata të Policisë së Shtetit, janë vlerësuar dhe do të vlerësohen me prioritet dhe përkushtim nga ana jonë. Ne gjykojmë se, përmbushja e detyrimeve të shtetit në cilësinë e punëdhënësit për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtës kushtetuese të mbrojtjes shoqërore në punë, të garantuar nga neni 49 i Kushtetutës dhe i të drejtave ligjore të punonjësve të Policisë së Shtetit të garantuara nga ligji organik, Kodi i Punës dhe aktet nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet e punës të kësaj strukture do të sjellë me siguri motivimin dhe përkushtimin e tyre në kryerjen e misionit ligjor të Policisë së Shtetit, të përcaktuar në nenin 2 të ligjit nr. 108/2014, ku parashikohet se, Policia e Shtetit ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.
Ndërkohë gjatë veprimtarisë tonë kemi konstatuar se punonjësit e Policisë së Shtetit punojnë në kushte të vështira për shkak të stresit dhe të ngarkesës psikologjike e cila, përveç të tjerash, vjen edhe nga natyra e misionit që kryejnë, ashtu edhe nga orari i zgjatur i punës. Për këto arsye gjykojmë se do të ishte me vend dhe i nevojshëm ofrimi i shërbimit të trajtimit psikologjik të punonjësve të policisë.
Për sa më sipër, bazuar në pikën 3, të nenit, 63 të Kushtetutës ku thuhet se: “Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike” dhe në nenin 21/b të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, ku thuhet se: “Pas përfundimit të hetimit, Avokati i Popullit…. paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ, që, sipas tij ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive”,
R E K O M A N D O J M Ë:
1. Marrjen e menjëhershme të masave organizative për të bërë të mundur përfundimin nga strukturat përkatëse të projektvendimeve të parashikuara në dispozitat e ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe miratimin e tyre nga Këshilli i Ministrave.
2. Marrjen e menjëhershme të masave organizative për të bërë të mundur përfundimin nga strukturat përkatëse të projektligjit “Për trajtimin financiar me pension shërbimi të punonjësve të Policisë së Shtetit që ndërpresin marrëdhëniet e punës” dhe dërgimin e tij për miratim në Kuvend.
3. Marrjen e menjëhershme të masave të nevojshme për sigurimin e fondeve buxhetore për të bërë të mundur likujdimin e pagesave për orët suplementare dhe shpenzimet e udhëtimit të kryera nga punonjësit e Policisë së Shtetit për gjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019, si dhe për kompesimin për ushqim të punonjësve të policisë, në zbatim të VKM nr. 68, datë 07.02.2018 “Për kufijt dhe kriteret e përcaktimit të shpërblimit që i përgjigjet pagës së përfituar në natyrë dhe që i shtohet pagës për pushimet vjetore”.
4. Marrjen e masave të nevojshme për realizimin me sukses të procedurave të prokurimit për uniformat e punonjësve të Policisë së Shtetit.
5. Marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur dakortësimin për një marrëveshje ndërmjet palëve (DPPSH dhe Sindikatës së punonjësve të Policisë së Shtetit) dhe hartimin e një Kontrate Kolektive të re.
6. Analizimin e shkeljes së të drejtave ligjore të garantuara nga ligji nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe aktet e tjera nënligjore që iu është bërë punonjësve të Policisë së Shtetit për rreth 5 vjet, nxjerrjen e përgjegjësive dhe marrjen e masave administrative ndaj personave përkatës.
7. Parashikimi i fondeve buxhetore për të bërë të mundur që në organikën e Drejtorive Vendore të Policisë të parashikohet pozicioni i psikologut për dhënien e shërbimit të trajtimit psikologjik të punonjësve të policisë.
Për masat që do të merrni në zbatim të këtij rekomandimi, lutemi të ktheni përgjigje brenda afatit 30 ditor të përcaktuar në nenin 22 të ligjit “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar.
Duke besuar në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj,
AVOKATI I POPULLIT
Erinda BALLANCA
Konceptoi S. Nushi
Miratoi E. Ruspi